Janar – tetor 2017: Anijet dhe tragetet, 8 përqind më shumë mallra se një vit më parë

Gjatë 10-mujorit të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar afro 3.1 milion ton mallra, ose 8 përqind më shumë se sa e njejta periudhë e vitit 2016.

Nga të dhënat e përftuara nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se, rritje të volumit të mallrave të përpunuar ka patur si në eksportet edhe në importet. Sipas të njejtit burim, eksportet kanë shënuar një rritje prej 20 përqind krahasuar me vitin e kaluar, duke regjistruar një sasi prej 1 milion e 123 mijë ton mallra të përpunuar në 10 muaj. Ndërkaq, importet kanë tejkaluar shifrën prej 1 milion e 956 mijë ton mallra në 10 muaj, me një rritje prej 3 përqind, krahasuar me 10-mujorin e vitit 2016.

Gjatë periudhës janar-tetor 2017 në të tre Terminalet e mallrave janë përpunuar 475 anije tregtare, ndërsa në Terminalin e Trageteve janë përpunuar 849 tragete, të cilat përveç udhëtarëve transportojnë edhe mallra me kamjonë dhe trajlerë.

Nga një e dhënë tjetër, mësohet se nga anijet janë përpunuar mbi 2.4 milion ton mallra për 10-mujorin, me një rritje prej 9 përqind, ndërsa tragetet kanë transportuar nga/drejt Durrësit afro 674 mijë ton, ose 7 përqind më shumë se 10-mujorin janar-tetor 2016.