Kalatat e portit të zëna nga anijet në përpunim

Sot paradite në portin e Durrësit janë në proçes përpunimi 7 anije tregtare, 6 të cilat po shkarkojnë grurë, nitrat, xhama dhe kontejnerë, ndërsa anija “Sirios Cement 1” po ngarkohet në kalatën 11 me 12.500 ton çimento për eksport. Gjatë 24 orëve të ardhshme në portin e Durrësit priten 5 anije tw tjera, tre nga të cilat me kontejnerë, si dhe dy të tjera përkatësisht me superfosfat dhe llamarinë.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se në Terminalin e Mallrave të përgjithshme dhe në atë Lindor vetëm gjatë paradites po punojnë 5 skuadra punëtorësh dhe 9 elektrovinxha gjithsej. Anijet në përpunim janë ankoruar në kalatat 1, 2, 4, 5, 6 dhe 11. Pa harruar dy tragete që kanë mbërritur nga Bari sot paradite dhe janë ankoruar në Terminalin e Udhëtarëve.

Në kalatën 1 anija “Viktor Borisov” po shkarkon 3299 ton grurë, ndërsa pranë saj në kalatën 2 nga anija “Gulf River” po shkarkohen 3300 ton nitrat nga importi.

Në kalatën 4 vazhdon shkarkimi i anijes “Georgiana H” me 4692 ton grurë.

Dy anije vazhdojnë shkarkimin në kalatën 5: “Ulus Breeze” me 3005 ton grurë dhe “Thunder” me 2376 ton arka me xhama.

Në kalatën e Terminalit të kontejnerëve sot paradite ka nisur shkarkimi i 330 kontejnerëve nga anija “Grand”.

Ndërkaq anija “Sirios Cement 1” po ngarkohet në kalatën 11 me 12.500 ton çimento për eksport.