Kalim stafete në APD: prezantohet Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu, u prezantua të hënën me ekipin drejtues të Portit në një takim të posaçëm, nën drejtimin e kryetares së Këshillit Drejtues, Viola Haxhiademi.

Gjatë prezantimit, znj. Haxhiademi vlerësoi “punën e lavdërueshme në krye të institucionit” nga ish-Drejtori z. Agron Tare si dhe e falenderoi këtë të fundit për kontributin e dhënë.      

Ish-Drejtori i APD, Agron Tare, falenderoi stafin drejtues të APD për punën e përbashkët gjatë këtij viti dhe i uroi suksese pasardhësit të tij.

Në fjalën e tij prezantuese Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Pirro Vengu, falenderoi gjithashtu z. Tare për bashkëpunimin dhe mbështetjen.    

Z. Vengu theksoi rëndësinë e vijimit të përpjekjeve për përmirësimin e parametrave të sigurisë në Portin e Durrësit, rritjen e performancës financiare dhe mjedisore si dhe ecurinë e qendrueshme të Portit si një nyje e zhvillimit të integruar me qytetin e Durrësit dhe rajonin e Europës Jug Lindore. 

Këshilli Drejtues i APD vendosi fundjavën e kaluar emërimin e z. Pirro Vengu në pozicionit e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, sipas propozimit të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pirro Vengu vjen në krye të APD pas një eksperience drejtuese disa vjeçare, fillimisht pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe së fundmi pranë Këshillit të Ministrave ku ka drejtuar për dy vite Departamentin e Administrimit, Transparencës dhe Antikorrupsionit (DATAK)