Në portin e Durrësit sot janë në proces përpunimi katër anije me 21.500 ton mallra të ndryshme gjithsej.
Nga burimet e dispeçerisë portuale, mësohet se për përpunimin e tyre po punojnë katër skuadra ngarkim-shkarkimi dhe shtatë elektrovinxha.
Anija Arel 1 po ngarkohet në kalatën 10 me 9800 ton prokate për eksport. Çeliqet e prodhuara në Elbasan i drejtohen porteve të Turqisë. Ndërkaq në kalatat e terminalit perëndimor, tre anije të tjera po shkarkojnë grurë, skrap metalurgjie dhe lidhje hekuri.
5001 ton grurë që ka mbërritur nga Rusia po shkarkohen nga anija Volga 4007, e cila është ankoruar në kalatën 1. Në kalatën 4 dhe 5 anijet Frojdi III dhe Mansur M po shkarkojnë përkatësisht 1701 ton lidhje hekuri dhe 5000 ton skrap metalurgjie.
Sipas burimeve të dispeçerisë gjatë 24 orëve të ardhshme pritet të mbërrijnë anijet Ocean Joy dhe Necati Cavusoglu me 827 ton makineri dhe 1075 ton lidhje llamarine, ndërsa të shtunën pritet të fillojë ngarkimi me 5700 ton paleta çimentoje për eksport i anijes Princess Maria.