Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Pirro Vengu ka pritur sot paradite drejtuesit e Task Forcës së Përbashkët – 7, të cilët kanë shprehur vlerësime të larta për bashkëpunimin gjatë operacionit me logjistikë të përbashkët bregdetare të vitit 2021.
“Angazhimi dhe veprimtaria juaj pasqyrojnë traditat më të mira të shërbimeve ushtarake dhe reflektojnë një meritë të madhe mbi Ju, Task Forcën e Përbashkët -7 dhe Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës” – kanë nënvizuar ushtaraket në Vlerësimin e tyre.
Gjatë Takimit në mjediset e drejtorisë së APD, ushtarakët e lartë të SHBA, Eric R. Nilsson dhe Timothy R. Zetterwall u kanë dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm Pirro Vengu dhe drejtorit të FSPD, Alfred Velaj, Certifikata Vlerësimi “Për arritje të jashtëzakonshme gjatë detyrës në Autoritetin Portual Durrës, gjatë operacionit me logjistikë të përbashkët bregdetare të vitit 2021”.
Drejtori Vengu, shprehu mirënjohjen për vlerësimin e Komandës amerikane për mbështetjen e dhënë nga Porti i Durrësit në mbarëvajtjen e stërvitjes Defender Europe 21.
“Task Forca e Përbashkët-7, dëshiron të shprehë vlerësimet më të sinqerta për mbështetjen, përkushtimin, shërbimin vetëmohues dhe angazhimin e pashembullt dhe të shkëlqyer tuaj ndaj misionit, çka kontribuoi pamasë në suksesin e përgjithshëm të njësisë dhe operacionit – ka vlerësuar Komanda e Forcës së Përbashkët.
Bashkëpunimi dhe bashkërendimi me forcat e Task Force – 7 ka nisur që në fillim të këtij viti dhe pritet të përfundojë në fund të muajit qershor.