Diskutimi dhe prezantimi i masave të sigurisë, pas ngjarjeve të javës së kaluar në Paris, ishin në qendër të Takimit të Komitetit Këshillimor të Sigurisë në anije dhe porte, që u mblodh të mërkurën në një nga sallat e Autoritetit Portual Durrës. Së bashku me drejtuesit e Institucioneve publike dhe private që operojnë në Portin e Durrësit ishte i pranishëm edhe Prefekti i Qarkut, Rolant Xhelilaj.
Takimi u drejtua nga Drejtori Ekzekutiv i APD, ing. Gazmend Shalsi, njëkohësisht kryetar i Komitetit të Sigurisë së portit të Durrësit, i cili tha se shtimi i masave të kontrollit vjen pas menjëherë pas letrës së Kryeministrit Rama drejtues ministrive dhe institucioneve. Z. Shalsi shtoi se “kësaj situate duhet ti përgjigjet komiteti i Sigurisë që funksionon prej kohesh me kontakte të vazhdueshme e shkëmbim informacioni”. Ai vlerësoi rëndësinë e kontrolleve në territor dhe veçanërisht në sheshin e trageteve.
Z. Rolant Xhelilaj, Prefekt, njëherësh kreu i emergjencave Civile, Qarku Durrës, gjatë fjalës së tij pohoi se “situata në Francë më datë 13.11.2015, nxorri në pah problemet e sigurisë. Porti Detar ka rolin kyç dhe duhet të jetë brenda çdo standardi me elementët e sigurisë. Duhet tërhequr vëmendja e të gjithë punonjësve për të shmangur cënimin e elementëve të sigurisë; kjo do të thotë që gjithë udhëzimet dhe planet që kemi në letra ti konkretizojmë. Shkresa e Kryeministrit për situatën aktuale, thekson rivlerësimin e masave të sigurisë, në kushtet që të mos cenohet jeta civile normale.”
Z. Hysni Aruçi, kreu i Autoritetit Shtetëror të Sigurisë pohoi se “që prej ditës kur ndodhën sulmet terroriste në Francë, kemi orientimin për marrjen e masave mbi problematika hipotetikisht të mundshme për ngjarje të papëlqyeshme. Duhet të shtohet kontrolli rigoroz i kartave identifikuese për personat që hyjnë në Port, edhe për punonjësit brenda institucioneve në Territorin e Portit. Struktura është e mirëorganizuar, për përballimin e cdo lloj rasti dhe Siguria e Portit Durrës, shërben si model pilot edhe për Portet e tjera të vendit tonë. Megjithatë nevojitet mirkuptimi nga të gjithë operatorët e portit. Këto masa janë pjesë e emergjencave Kombëtare.”
Më pas të pranishëmit u ndalën në masat që duhen marrë në Terminalin e Trageteve.
Sipas z. Boke Budini, Drejtor i Policisë Kufitare dhe Migracionit tha : “Më shumë se menaxhimi i territorit të Portit, tragetet janë pikat kritike të sulmeve të mundshme. Si rregull nisja e trageteve bëhet në orën 22:00. Punonjësit e kufirit të kenë kohën e duhur për kontrollin brenda standardeve”. Znj. Eranda Çuçi, drejtore e Doganës, mbështeti propozimin për ndryshimin e orarit limit të check –in në ora 21.00.
Komiteti i Sigurisë në portin e Durrësit funksionon bazuar në Ligjin Nr.168/2013, Datë 30/09/2013 mbi Sigurinë në anije dhe në porte; Urdhërin Nr.85, datë 11.06.2015, Për miratimin e rregullores ”Për forcimin e sigurisë në anije dhe në portet e hapura të Republikës së Shqipërisë” si dhe VKM Nr.209,datë 09/04/2014 për miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komitetit të Sigurisë në anije dhe Portet e hapura të Republikës së Shqipërisë”