Kompania italiane GNV, interes për tregun e transportit të udhëtarëve -Drejtori Belortaja: Më shumë konkurencë dhe linja të reja nga Durrësi- 5 shkurt 2015

Kompania italiane Grandi Navi Veloci (GNV) ka shfaqur interesim për tregun e transportit të udhëtarëve dhe mallrave me tragete në portin e Durrësit. Dy përfaqësues të kësaj kompanie zhvilluan sot në mesditë një takim me drejtuesit e Autoritetit Portual të Durrësit.

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv, Selim Belortaja pasi u njoh me interesat e kompanisë GNV, tha se porti i Durrësit është port shumëpërdorimësh. Terminali i udhëtarëve ka kushte shumë komode dhe mirëpret mesatarisht 800 mijë udhëtarë në vit – tha ai më tej.

Z. Belortaja shprehu interesin e portit të Durrësit për linja të tjera lundrimi përveç atyre ekzistuese, duke vlerësuar rëndësinë që ka rritja e konkurencës për përmirsimin e shërbimit dhe uljen e tarifës së biletave.

Drejtori operativ i GNV, Antonio Pedevilla u shpreh se kompania është në fazën e dytë të studimit të tregut të transportit me tragete në vendin tonë. “Në portin e Durrësit më bëri përshtypje shumë pozitive koha e shkurtër dhe cilësia e shërbimit gjatë kalimit në pikën e kalimit kufitar si dhe në procedurat e zhdoganimit-vlerësoi përfaqësuesi i GNV.

Ai shtoi se kompania ka 10 tragete dhe 1100 punonjës, që operojnë në portet e Sardenjës, Siçilisë, Spanjës, Marokut, Tunizisë dhe Francës. Anijet tona kanë një gjatësi nga 168 – 172 metra dhe një thellësi zhytjeje deri në 6.7 metra-tha më tej z. Pedevilla, I cili shoqërohej në takim nga menaxheri i kësaj kompanie në Palermo, Simone Del Vecchio.