Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Komuniteti Rajonal i Transportit dhe Autoriteti Portual Durrës, organizojnë konferencën rajonale mbi zhvillimin e transportit detar në kuadër të Ditës Botërore të Detarisë.
Për herë të parë, të gjithë aktorët europianë dhe rajonalë të transportit detar do të mblidhen në një konferencë të posaçme në Shqipëri, me pjesëmarrjen e disa Ministrave nga vendet e rajonit, drejtuesve nga Komisioni Europian, Organizata Botërorë Detare, Organizata Europiane e Porteve, portet kryesore të Detit Adriatik, sipërmarrja dhe shoqëria civile.
Dita Botërore e Detarisë është një rast për të mobilizuar vullnetin politik dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal në funksion të zhvillimit të qendrueshëm të transportit detar dhe ndërlidhjes infrastrukturore në Europën Jug-Lindore, veçanërisht në hapësirën Adriatiko-Joniane.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti Portual Durrës, në rolin e bashkë-organizatorëve të konferencës, janë të angazhuar për ta kthyer sektorin detar në një shtyllë të zhvillimit të qendrueshëm ekonomik të vendit, përmes investimeve në infrastrukturën e Porteve si qendra logjistike rajonale.
Punimet e Konferencës do të organizohen rreth tre tematikave: Jetësimi i Korridoreve pan-Europiane të transportit dhe ndërlidhja me bregdetin Adriatik; Fuqizimi i Porteve si instrumentë për të siguruar zhvillim të gjelbër dhe të qëndrueshëm; Forcimi i bashkëpunimit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për zbatimin e projekteve infrastrukturore rajonale.
Në kuadër të Konferencës, Komuniteti Rajonal i Transportit do të prezantojë dhe “Planin e Veprimit për Transportin Detar”, rezultat i punës së përbashkët të Bashkimin Europian dhe vendeve të rajonit.
Konferenca do të mbahet në ambientet e “Pallatit të Kongreseve” (Tiranë), të enjten datë 30 shtator 2021, ora 10.00.
Contacts and Information for Albanian and foreign media:
Elitjona Doko, Durrës Port Authority: [email protected]
Kristijan Ležaić, Desk Officer for Waterborne Transport: [email protected]