Konfirmohet mbërritja e 11 kroçerave, më shumë turistë se viti i kaluar

Agjencitë pritëse kanë konfirmuar këto ditë nisjen e sezonit turistik me 11 kroçera, të cilat do të mbërrijnë në Durrës nga fundi i muajit maj deri në fund të muajit tetor. Numri i turistëve që do të zbresin në qytetin bregdetar për një qëndrim 7-8 orë pritet të kalojë 10 mijë vetë, shifër më e lartë se sa ajo e vitit 2014.

Emrat dhe datat e qëndrimit të kroçerave në portin më të madh të vendit janë publikuar pjesërisht edhe në faqen përkatëse të web sajtit www.apdurres.com.al Nga agjencitë pritëse mësohet se pritet edhe konfirmimi i disa kroçerave të tjera që parashikohet të lundrojnë gjatë stinës së verës drejt Durrësit.

Pesë anije kroçerë me gjatësi mbi 180 metra secila do të kryejnë 11 lundrime gjithsej për në Durrës, në një periudhë 5-mujore. Anijet “Roterdam” dhe “Princendam” kanë gjatësi përkatësisht 236 dhe 207 metra. Kroçera “Thomson Majesty” do të mbërrijë e para më 28 maj të këtij viti, ndërsa “Princendam” do të kryejë lundrimin e fundit më 27 tetor.

Prej disa vitesh Durrësi bën pjesë në turet më të rëndësishme mesdhetare dhe kroçerat tashmë ndalojnë në portet e Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Kroacisë e Malit të Zi.

Nga sektori i statistikave mësohet se 16 kroçera me 5692 turistë të huaj gjithsej kanë vizituar portin e Durrësit gjatë vitit 2014. Gjithashtu janë bregëzuar edhe 234 jahte turistike, dhe pjesa më e madhe e drejtuesve të tyre kanë vizituar qytetin antik dhe rrethinat e tij.

Turistët që shfrytëzojnë kroçerat për të vizituar vendin tonë vijnë nga të gjitha kontinentet, por pjesa më e madhe e tyre janë nga SHBA dhe Britania.

Turistët janë mjaft të interesuar për të vizituar monumentet historike dhe arkeologjike të vendit tonë dhe në kushtet e kohës së kufizuar të qëndrimit të anijes në port agjencitë turistike programojnë ture në qytetet pranë, kryesisht në Durrës, Krujë, Tiranë, e më rrallë edhe në Berat.