Në malin e Krujës ka përfunduar këto ditë mbjellja e 1500 fidanëve pishe, kontribut i punonjësve të Autoritetit Portual në kuadër të fushatës kombëtare të pyllëzimit.
Fidanet e mbjella kanë zënë një territor prej 7.5 dynym, në një zonë malore rreth 3 km në verilindje të Fushë Krujës. Fushata e pyllëzimit u zhvillua në shkallë qarku për disa javë radhazi dhe në realizimin e saj kontribuan ndërmarrje, institucione dhe shkolla të rretheve të Durrësit dhe Krujës.
Sipas drejtorit të Shërbimit Pyjor të qarkut, Artur Baku, sipërfaqja e përgjithshme e mbjellë me fidane në këtë zonë të Malit të Krujës, ku u përqëndrua fushata e këtij viti, arrin në rreth 28 ha. Drejtori Baku vlerësoi kontributin e punonjësve të APD, si dhe nismën për ta kthyer këtë fushatë sensibilizimi në mbështetje të përvitshme për pyllëzimin në të gjithë qarkun.