Korrik-gusht: Trageti Durrës-Ankona e kthim, program lundrimi i përditshëm

Tragetet e linjës Durrës – Ankona e kthim gjatë dy muajve të verës do të 3-fishojnë lundrimet, për të lehtësuar udhëtimet e bashkëatdhëtarëve me punë dhe banim jashtë vendit, të cilët vijnë me pushime pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.

Nga Qendra e Informacionit në APD mësohet se në grafikët e kompanive lundruese është parashikuar një ritëm thuajse i përditshëm i lundrimeve të trageteve drejt Ankonës. Sipas grafikut të ri, që nga dt. 5 korrik deri në fund të muajit gusht tragetet e kësaj linje do të mungojnë vetëm në pesë ditë, duke qenë të pranishëm në 52 ditë të tjera.

Gjatë vitit tragetet e linjës Durrës – Ankona e kthim lundrojnë dy herë në javë, ndërsa njëri nga udhëtimet vijon edhe drejt portit të Triestes.

Në stinën e verës dhjetra mijë pushues vendas dhe të huaj shfrytëzojnë tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste për udhëtimet individuale dhe me automjete nga vendet e Evropës perëndimore ku jetojnë dhe punojnë drejt vendit tonë dhe anasjelltas.