Në kuadër të iniciativës së ndërmarrë nga Instituti për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe partnerët e projektit SAGOV, në funksion të pasqyrimit të sfidave dhe kufizimeve me të cilat po përballen aktualisht portet e rajonit të Mesdheut për shkak të COVID-19, janë realizuar një sërë intervistash pjesë e të cilave ka qenë dhe Porti i Durrësit .
Në intervistën e zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, Z. Pirro Vengu, ai ka folur mbi masat e implementuara dhe ridimensionimin e sistemit menaxhues dhe operacional të portit më të madh të vendit për t’u përshtatur me kushtet e pandemisë globale në mënyrë që të ruhet vijueshmëria operacionale si një element jetik në këto ditë të vështira për ekonominë e vendit.
Z.Vengu theksoi faktin se, në këtë situatë të pazakontë portet e Mesdheut janë kthyer në vatra rezistence përkundrejt pandemisë COVID-19, për këtë arsye në Portin e Durrësit janë marrë masa për sigurinë shëndetësore që në krye të herës, me identifikimin e rasteve të para në Italinë fqinjë.
Që prej muajit Shkurt, në pikat e kalimit kufitar janë dyfishuar stafet mjekësore dhe janë intesifikuar masat parandaluese dhe survejuese, të cilat në vijim janë pasuar me zbatimin rigoroz të rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore shtetërore mbi distancimin social, dezinfektimin e ambjenteve dhe pajisjen me mjete personale mbrojtëse për personelin dhe të gjithë operatorët portualë.
Pyetjes se si po administrohen në Autoritetin Portual Durrës procedurat që kanë të bëjnë me përpunimin e anijeve, transportin detar dhe bashkëpunimin me instanca të tjera relevante në kushtet e pandemisë, Z.Vengu ju përgjigj se në situatën e pazakontë në të cilën ndodhemi ne mirëkuptojmë të gjitha kufizimet dhe pengesat me të cilat po përballen aktualisht operatorët portualë, ndaj dhe qëllimi ynë është të krijojmë sa më shumë fleksibilitet duke ofruar tarifa preferenciale përkundrejt rasteve të influencuara si pasojë e situatës.
Intervisten e plote mund ta ndiqni:
https://www.youtube.com/watch?feature=youtu.be&v=yKlxWjaUrLQ&app=desktop