Kroçera “Azamara Quest” me 660 turistë mbërriti sot në port 25 shtator 2013

Kroçera “Azamara Quest” me 660 turistë të huaj në bord mbërriti sot paradite në portin e Durrësit. Anija gjigante turistike me flamur maltez u ankorua në orën 7.00 në kalatën 5, sipas programimit të APD-ës.

Rreth 180 turistë të huaj u nisën menjëherë për vizita të organizuara me autobuzë drejt qyteteve të Beratit, Krujës dhe Tiranës, ndërsa një grup me turistë nga Japonia dhe Hong Kongu përzgjodhën një guidë të ndryshme, përmes një agjencie turistike vendase.

Shumica e vizitorëve janë shtetas nga SHBA (213), Zelanda e Re (109), Britania e Madhe (90), Kanadaja (58) dhe Australia (48). Në kroçerën që po zhvillon një tur mesdhetar nuk mungojnë edhe turistë nga Norvegjia, Japonia, Kroacia, Danimarka, Brazili, Kili, Argjentina, Venezuela, Suedia, Portugalia, Singapori, Hong Kongu dhe Zvicra.

Kroçera, e cila lundron gjatë natës erdhi nga Dubrovniku (Kroaci) dhe sot në orën

20.00 do të niset për në Ravena (Itali). Pjesa mesdhetare e turit ka nisur më 21

shtator në Venecia dhe do të përfundojë po atje ditën e djelë, pas vizitave në porte të ndryshme të Italisë dhe Kroacisë, përfshirë edhe Durrësin (Shqipëri).

Anija turistike me një personel prej 408 vetësh mbërrin për herë të parë në vendin tonë. Ajo ka një gjatësi prej 181 metrash dhe është pjesë e kompanisë së kroçerave RCCL.

“Azamara Quest” është anija e dytë më e madhe turistike që ka vizituar portin e Durrësit, pas “Artanias” me gjatësi 231 metra.