Sot paradite në portin e Durësit u ankorua për herë të parë kroçera “Deutschland”, me 372 turistë në bord. Kroçera me flamur gjerman vjen në Durrës në kuadër të një turi mesdhetar, që ka nisur më 24 tetor dhe do të përfundojë më 6 nëntor.
Pjesa më e madhe e turistëve janë gjermanë, por nuk mungojnë edhe vizitorë nga Austria, SHBA, Greqia dhe Izraeli. Sipas një programi të paracaktuar, turistët kanë filluar të vizitojnë qendrat arkeologjike dhe muzeale në Durrës, Krujë, Apolloni, Berat dhe Tiranë.
Anija kroçerë është ankoruar në kalatën 5/a.
Kroçera “Deutschland”, është nisur nga porti i Venecias, dhe më pas ka ndaluar në Koper, Dubrovnik e Kotorr. Pas qëndrimit prej 14 orësh në Durrës sot në mbrëmje ajo do të niset për në Korfuz, e më pas Itakë dhe Pire.
“Deutschland” ështe një kroçerë me 5 yje, e arreduar me një përzierje dizajni modern-klasik. Mjediset e saj janë shfrytëzuar për shumë vite për realizimin e telefilmit “Barka e Ëndrrave”, ndërsa në verën e vitit 2012, e ankoruar në portin e Londrës, “Deutschland” është përdorur si qendër rezidenciale për ekipin olimpik gjerman. Kroçera ka një personel prej 276 vetë. “Deutschland”, e cila ka vizituar portin e Vlorës në vitin 2012, ka planifikuar një vizitë tjetër në Durrës në tetor të vitit 2014.