Kroçera “Ocean Majesty” me 300 turistë, 14 orë në portin e Durrësit

Sot paradite në kalatën 4 të portit të Durrësit u ankorua kroçera “Ocean Majesty” me 300 turistë nga vende të ndryshme.

Anija turistike mbërriti nga Kotorri (Mali i Zi) dhe sot në ora 23.00 do të niset drejt ishullit të Korfuzit.

Autoriteti Portual ka marrë të gjitha masat për ankorimin e anijes, për sigurinë si dhe për lehtësimin e lëvizjes së turistëve në hyrjet kryesore të tij.

Pjesa më e madhe e turistëve (237) janë shtetas gjermanë, 50 janë nga Austria, ndërsa të tjerët vijnë nga Greqia, Polonia, Serbia, Zvicra, Rusia dhe Anglia.

Shumica e turistëve do të vizitojnë qytetin e Durrësit dhe qendrat muzeale e arkeologjike të tij, ndërsa pjesa tjetër të organizuar me autobuzë do të vizitojnë qytetet e Tiranës dhe Krujës.

Kroçera “Ocean Majesty” i ka nisur lundrimet drejt Durrësit pesë vjet më parë. Gjatë këtij sezoni veror në Durrës kanë mbërritur gjithashtu edhe 8 kroçera dhe anije luksoze turistike.