660 turistë, kryesisht nga SHBA, do të mbërrijnë nesër në portin e Durrësit, në bordin e kroçerës “Prinsendam”.
Anija turistike, e cila ka vizituar disa herë qytetin bregdetar, do të ankorohet në kalatën 5 rreth orës 8.00 dhe APD ka marrë të gjitha masat për mikpritjen dhe lehtësimin e kushteve të qëndrimit në portin më të madh të vendit.
532 turistë janë shtetas nga SHBA, ndërsa nuk mungojnë turistët nga Kanadaja (47), Australia (34), Anglia (15). Pjesa tjetër janë turistë nga Austria, Brazili, Kroacia, Qipro, Franca, Gjermania, Greqia, India, Indonezia, Japonia, Zelanda e Re, Hollanda, Filipinet, Rumania, Spanja dhe Suedia.
Një pjesë do të udhëtojnë të organizuar me autobuza drejt qyteteve historike të Krujës e Beratit, si dhe drejt Tiranës. Shumë prej turistëve do të vizitojnë qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit.
Kroçera “Prinsendam” me gjatësi 204 metra dhe tonazh të përgjithshëm 39 mijë ton ka flamur holandez. Ajo vjen nga Korfuzi (Greqi) në kuadër të një turi adriatiko-jonian dhe do të vijojë lundrimin drejt portit të Kotorrit (Mali i Zi).
Pas kroçerës “Berlin”, që mbërriti në fund të muajit mars, kjo është anija e dytë turistike e këtij sezoni. Deri në muajin nëntor në Durrës pritet të mbërrijnë edhe 20 kroçera të tjera me turistë nga i gjithë globi.