Kroçera “Thomson Celebration” me 1224 turistë, për herë të parë në Durrës

1224 turistë të huaj, kryesisht nga Britania e Madhe, do të mbërrijnë nesër në portin

  • Durrësit, në bordin e kroçerës “Thomson Celebration”. Anija turistike, e cila vjen për herë të parë në qytetin bregdetar, do të ankorohet në kalatën 5 rreth orës 8.00 paradite dhe Autoriteti Portual ka marrë të gjitha masat për mikpritjen dhe për lehtësimin e kushteve të qëndrimit në portin më të madh të vendit.

Nga agjencia e lundrimit “Intermed Shiping” mësohet se shumë pak udhëtarë vijnë nga Gjermania dhe Austria, ndërsa pjesa më e madhe e turistëve janë nga Britania e Madhe.

Pas zbritjes në Durrës, një pjesë do të udhëtojnë të organizuar me autobuza drejt qyteteve historike të Krujës e Beratit, si dhe drejt Tiranës. Shumë prej turistëve të tjerë do të vizitojnë qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit.

Kroçera “Thomson Celebration” me gjatësi 215 metra dhe tonazh të përgjithshëm 34 mijë ton ka flamur maltez. Ajo vjen nga Korcula (Kroaci) në kuadër të një turi adriatiko-jonian dhe do të vijojë lundrimin nesër në ora 17.00 drejt portit të Dubrovnikut (Kroaci).

Pas kroçerave “Berlin” dhe “Princendam”, që mbërritën në Durrës në periudhën mars-prill të këtij viti, kjo është anija e katërt turistike e këtij sezoni. Deri në muajin nëntor në portin e Durrësit pritet të mbërrijnë edhe 18 kroçera të tjera me turistë nga i gjithë globi.