Kroçera “Thomson Majesty”, që nga fillimi i vitit për herë të katërt në Durrës

Në portin e Durrësit mbërriti sot rreth orës 7.30 kroçera “Thomson Majesty”, me 1491 turistë nga 13 vende të botës. Ajo lundroi nga Dubrovniku (Kroaci) drejt Durrësit, ndërsa në mbrëmje do të vazhdojë udhëtimin drejt Korfuzit (Greqi).

Menjëherë pas zbritjes në portin më të madh të vendit, rreth 300 turistë të huaj u nisën me autobuzë drejt qyteteve të Tiranës, Krujës dhe Beratit, në ture të shkurtëra historike, arkeologjike dhe kulturore, ndërsa pjesa më e madhe kanë preferuar të vizitojnë Durrësin dhe rrethinat e tij.

Nga burimet e agjencisë pritëse Intermed Shiping, mësohet kroçera që vjen për herë të katërt që nga fillimi i këtij viti ka sjellë 1491 turistë gjithsej. 1462 prej tyre janë britanikë, ndërsa nuk mungojnë edhe turistë nga vende të tjera, si Irlanda, Kina, Italia, Kroacia, Greqia, Sllovakia, SHBA, Kenia, Qipro apo India.

Kroçera ka mbërritur në kuadër të një turi 10-ditor dhe ka ndaluar në disa porte të Adriatikut dhe Jonit. Sot në mbrëmje ajo do të vijojë lundrimin drejt Korfuzit.

Në muajin maj kjo kroçerë mbërriti për herë të parë në Durrës dhe solli 1518 turistë të huaj.

Kroçera “Thomson Majesty” me gjatësi 207 mt dhe gjërësi 28 mt arrin shpejtësinë 18 milje/orë.

Pas dy javësh në portin më të madh të vendit pritet edhe një kroçerë tjetër.