Kroçera “Thomson Majesty”me 1518 turistë nga 13 vende, nesër në port

Nis sezoni turistik i lundrimeve, priten 11 kroçera-                            Foto arkiv

Në portin e Durrësit mbërrin nesër kroçera “Thomson Majesty”, me 1518 turistë në bord. Kjo është kroçera e parë e këtij sezoni në portin më të madh të vendit dhe do të pasohet nga 10 kroçera të tjera, që kanë konfirmuar tashmë lundrimin e tyre drejt Durrësit.

Anija turistike parashikohet të hyjë në portin e Durrësit të enjten rreth orës 8.00 dhe do të ankorohet në kalatën 5. APD ka marrë të gjitha masat për ankorimin e anijes dhe mikpritjen e turistëve.

Nga burimet e agjencisë pritëse Intermed Shiping mësohet kroçera do të sjellë 1518 turistë nga 13 vende të ndryshme të botës. Pjesa më e madhe e tyre, 1410 vetë, janë britanikë, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga Irlanda (37), Spanja (18), Meksika (33), si dhe Australia, Italia, Kroacia, Greqia, SHBA, Malajzia, Ukraina, Hollanda dhe Franca.

Kroçera është pjesë e një turi 2-javor, që ka nisur në Korfuz më 15 maj dhe do të përfundojë po në ishullin grek pas dy ditësh. Ndërkohë turistët kanë vizituar edhe portet në Mikonos, Kusadasi, Pireu, Chania, Kalamata, Ravena, Venecia, Rijeka dhe Dubrovnik.

Kroçera “Thomson Majesty” me gjatësi 207 mt dhe gjërësi 28 mt arrin shpejtësinë 18 milje/orë. Ajo do të qëndrojë në Durrës afro 12 orë dhe më pas do të vazhdojë lundrimin drejt Korfuzit.