Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vizitë në port në mbështetje të peshkimit 19 Dhjetor 2014

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta vizitoi sot paradite një grup

motopeshkatoresh në portin e Durrësit, në kuadër të veprimtarive me logon “Muajt e bujqësisë shqiptare”. Z. Meta, i cili shoqërohej nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, kryetari I bashkisë, Vangjush Dako dhe deputeti Spartak Braho u prit nga drejtori ekzekutiv i APD-së, Selim Belortaja.

Gjatë vizitës në njërën prej motopeshkatoreve të ankoruara në kalatën 5 të portit, kreu i Kuvendit nënvizoi mbështetjen e shtetit për këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë së vendit. Ai vlerësoi edhe punën që po bëhet për përfundimin e portit të ri të peshkimit në Durrës dhe që do ti japë frymëmarrje të re kësaj veprimtarie.

Në bordin e motopeshkatores, z. Meta u interesua nga afër për kushtet e veprimtarisë së peshkimit dhe bisedoi me drejtues dhe punonjës peshkatarë. Specialistët e këtij sektori shprehën kënaqësi për hapat e hedhura nga qeveria për

peshkimin në përgjithësi, si dhe vlerësuan bashkëpunimin dhe mbështetjen që kanë gjetur nga administrata portuale për realizimin e veprimtarisë së tyre. Specialistët dhe punonjësit e sektorit artikuluan edhe disa kërkesa për qeverinë dhe dikasterin e bujqësisë.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe autoritetet që e shoqëronin lundruan më pas me motopeshkatore në afërsi të portit të ri të peshkimit dhe u njohën me organizimin e ardhshëm të tij.