21 janar 2026
Avancimi i Maritime Single Window (MSW) ka bërë bashkë ditën e djeshme përfaqësues të një sërë institucionesh operuese në sektorin detar, në kuadër të workshop-it të organizuar mbi Programin për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor, një iniciativë e Bankës Botërore.
Maritime Single Window (MSW), ose “Dritarja e Unifikuar Detare”, është një sistem digjital i integruar, përmes të cilit aktorët e përfshirë në transportin detar administrojnë dhe shkëmbejnë në mënyrë të unifikuar informacionet dhe dokumentacionin e nevojshëm për procedurat e akostimit, qëndrimit dhe përpunimit të anijeve në porte, duke zëvendësuar proceset e shumta dhe të fragmentuara ndërinstitucionale.
Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve kyçe kombëtare, përfshirë Qendrën Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, QNOD, Drejtoritë Rajonale të Doganave, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, AKSHI, si dhe aktorë nga agjencitë detare dhe operatorë të tjerë të shërbimeve portuale.
Në fokus të workshop-it ishin:
• roli dhe funksionaliteti i Maritime Single Window (MSW)
• integrimi i tij me sistemet ekzistuese (TOS, PCS, NSW)
• gjetjet e auditimit EMSA mbi menaxhimin e informacionit detar
• hapat e mëtejshëm drejt zbatimit të MSW në Shqipëri
Ky workshop shërbeu si një platformë e rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, me synimin për të forcuar proceset e digjitalizimit dhe për të përmirësuar shërbimet në sektorin detar.





