Veprimtaria përpunuese në Portin më të madh në vend ka vijuar pa ndërprerë e fokusuar në transportin e mallrave me anije dhe tragete. Referuar të dhënave statistikore të APD-së, në të tre Terminalet e portit të Durrësit gjatë muajit mars 2020, janë përpunuar 41 anije me mallra import-eksporti.
Përpunimi i anijeve në kushtet e pandemisë së Covid-19, është kryer në masa të rrepta sigurie shëndetsore, të mbikqyrura nga Autoriteti Portual në bashkëpunim me kompanitë stivadore.
Mësohet se se numri më i madh i anijeve, gjithsej 27, është përpunuar në Terminalin e Mallrave Gjenerale, i njohur ndryshe si Terminali Perëndimor. Në këtë Terminal janë përpunuar mbi 83 mijë t mallra gjithsej, si grurë, xhama, melaminë, hekur, plehra bujqësore, mallra ushqimore, etj. Kjo është një sasi rreth 3,300 t më e lartë se sa ajo e marsit 2019.
Ndërkaq në Terminalin e Konteinerëve kanë mbërritur 7 anije dhe janë përpunuar 6,409 konteinerë TEU, në hyrje dhe dalje nga vendi ynë.
Në Terminalin Lindor sasia e mallrave të përpunuar gjatë muajit që sapo u mbyll arrin në 25 mijë t, nga 7 anije gjithsej.