Mars – nëntor 2016: Priten 22 kroçera me kapacitet 550-1500 turistë

-Më shumë kroçera se vitin e kaluar-

Në portin e Durrësit gjatë vitit 2016 priten 22 kroçera me kapacitet nga 550-1500 udhëtarë. Bashkë me to do të ankorohen edhe disa velierë luksozë, që prej disa vitesh ndalojnë në portin më të madh të vendit.

Nga të dhënat e agjencisë së specializuar Intermed Shipping, kroçerat që kryejnë ture adriatiko-joniane do të prekin portin e Durrësit nga 26 marsi deri më 19 nëntor të këtij viti.

Nga të njejtat burime mësohet se kroçerat e parashikuara kanë gjatësi nga 140 deri në 215 metra. Pjesa dërmuese e tyre si “MS Berlin”, “Thomson celebration”, “MS Sirena”, “MS Explorer”, “MS Albatros” dhe “MS Seven Seas Navigator” do të lundrojnë për herë të parë drejt Durrësit, duke kryer 18 nga 22 lundrimet.

Gjatë vitit 2015 në Durrës kanë mbërritur 12 kroçera dhe velierë luksozë me 8227 turistë gjithsej. Në vitin që lamë pas në Durrës u ankoruan më pak anije turistike, ndërsa numri i udhëtarëve ishte afro 44 përqind më i lartë se sa në vitin 2014.

Megjithëse Durrësi është një port përpunimi mallrash, vazhdimisht APD ka marrë të gjitha masat për ankorimin e kroçerave në kalatat qendrore 4 dhe 5, si dhe për lehtësimin e lëvizjes së turistëve në hapësirën portuale gjatë qëndrimit prej 10-14 orë në Durrës.

Pjesa më e madhe e kroçerave të këtij viti kanë lundruar drejt Durrësit në kuadër të tureve mesdhetare, ku përfshihen portet e Shqipërisë, Italisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe Greqisë.