Mbërrijnë jahtet e parë në port, nis sezoni turistik për mjetet e vogla lundruese

Në ditët e para të muajit prill në kalatat e portit të Durrësit janë akostuar katër jahte, duke shënuar fillimin e sezonit të anijeve turistike.

Gjatë javëve në vazhdim pritet një rritje e numrit të mjeteve të vogla turistike lundruese, që akostohen për periudha disaditore në portin më të madh të vendit.

Nga sektori i Statistikave dhe Qendra e Informacionit në APD, mësohet se numri i jahteve që kanë mbërritur në port gjatë vitit 2016 arriti në 219 gjithsej. Shumica e tyre kanë mbërritur në Durrës në periudhën prill-tetor. Vetëm gjatë muajve korrik-gusht në port janë akostuar 97 jahte gjithsej.

Ato janë vendosur kryesisht në kalatat 1, 2, 4, apo 5 të Terminalit Perëndimor, që administrohet nga APD.

Sipas specialistëve portualë, kohëqëndrimi i tyre në Durrës zgjat nga 4-5 orë deri në 3-6 ditë.