Ditën e martë në portin e Durrësit janë shkarkuar katër pjesë të seksionuara motopeshkatoresh, të cilat mbërritën nga Italia. Blloqet e motopeshkatoreve me një peshë të përgjithshme prej 90 ton janë përpunuar nga anija “Frojdi III” në kalatën 5.
Nga Qendra e Informacionit, mësohet se anija mbërriti nga Termoli (Itali) dhe se pjesët e anijeve peshkatore janë porositur nga nga një firmë private. Seksionet e gatshme do të shërbejnë për montimin e dy motopeshkatoreve në zonën pranë sektorit të peshkimit.
Tashmë flota e motopeshkatoreve të Durrësit po tranferohet nga baseni portual në portin e ri të peshkimit, i cili është ndërtuar ngjitur me murin perëndimor, në krahun e qytetit.
Ministri i Buqësisë, Niko Peleshi në takimin që zhvilloi para dy javësh në këtë port me përfaqësuesit e komunitetit të peshkimit theksoi se bashkë me portin e ri dhe merkaton e peshkut që janë bërë realitet, po punohet për plotësimin e gamës së nevojave të peshkimit me ngritjen e një kantieri të ri detar.
Partneriteti Publik-Privat dhe financimi nga qeveria shqiptare janë dy mënyrat për zgjidhjen përfundimtare të kërkesave të komunitetit të peshkimit. Autoriteti Portual i Durrësit do të jetë një partner i rëndësishëm në krijimin e kushteve për ngritjen e kantierit në një nga mjediset e tij.
Sipas masterplanit për zgjerimin dhe modernizimin e portit detar më të madh të vendit, me largimin e motopeshkatoreve nga vendankorimi aktual drejt portit të ri të peshkimit, gjatësia e kalatës së trageteve do të dyfishohet, ndërsa manovrat e anijeve dhe trageteve në basenin portual nuk do të kenë pengesa.