Mbërrin kroçera “Azamara Journey” me 656 turistë nga 29 vende të botës

Deri tani 10 kroçera dhe velierë luksozë me 5519 turistë gjithsej-

Sot paradite rreth orës 7.20 në portin e Durrësit u ankorua kroçera “Azamara Journey” me 656 turistë të huaj nga të gjithë kontinentet. Kroçera po zhvillon një tur mesdhetar dhe lundrimin e fundit e ka kryer gjatë natës së kaluar nga Dubrovniku (Kroaci).

Nga të dhënat e agjencisë pritëse “Samer & Misa” mësohet se 288 turistë vijnë nga Britania e Madhe, dhe 183 të tjerë nga SHBA. Në pjesën tjetër, 49 turistë vijnë nga Australia, 32 nga Belgjika, 25 nga Kanadaja, 14 turistë vijnë nga Meksika, dhe 13 nga Norvegjia. Ndërkaq, nuk mungojnë edhe turistë nga Brazili, Kolumbia, Kili, Kroacia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Greqia, Hondurasi, India, Italia, Zelanda e Re, Hollanda, Polonia, Rusia, Serbia, Afrika e Jugut, etj.

Anija turistike u ankorua në kalatën 5 dhe do të qëndrojë në portin më të madh të vendit deri rreth orës 18.00 të së enjtes.

Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për mikpritjen dhe për lehtësimin e kushteve të qëndrimit në portin më të madh të vendit.

Si zakonisht, një pjesë e turistëve kanë vijuar turin shqiptar me autobuzë drejt qyteteve historike të Krujës e Beratit, si dhe drejt Tiranës. Shumë prej turistëve të tjerë do të vizitojnë qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit.

Kroçera “Azamara Journey” me flamur maltez dhe është regjistruar në portin e Valetës. Ajo ka një gjatësi 181 metra dhe gjërësi 25.46 metra. Në bordin e saj punon një personel prej 394 vetësh.

Që nga fillimi i këtij sezoni turistik në Durrës kanë mbërritur 10 kroçera dhe velierë luksozë me 5.519 turistë gjithsej.