Sot paradite në portin e Durrësit mbërriti veliera “Sea Cloud” më 61 turistë të huaj në bord, pjesa më e madhe e të cilëve nga SHBA, si dhe nga Australia, Suedia, Italia, Kanadaja dhe Gjermania. Anija turistike u ankorua rreth ores 7.00 në kalatën 5 të portit më të madh të vendit.
Shumë prej udhëtarëve me të mbërritur në port u nisën drejt Krujës dhe Tiranës, ndërsa të tjerët do të vizitojnë qendrat historike dhe arkeologjike të Durrësit.
Nga të dhënat e agjencisë së lundrimit “Intermed Shiping” mësohet se veliera që po kryen një udhëtim turistik në Mesdhe është nisur natën e kaluar nga Porto Palermo, ndërsa sot në mbrëmje do të vijojë lundrimin drejt Kotorrit (Mali I Zi).
Veliera “Sea Cloud” me një personel prej 58 vetësh ka një gjatësi 110 metra dhe është e regjistruar në portin e La Valetas. Ajo viziton Durrësin që prej 7 vjetësh. Vetëm gjatë kësaj vere ajo do të ankorohet në portin e Durrësit edhe 6 herë të tjera. Pas kroçerës “La Belle de l’Adriatique” kjo është anija e dytë turistike për vitin 2018