Dy kroçerat “Serenissima” dhe “Ocean Majesty” me 398 udhëtarë gjithsej në bord u ankoruan sot rreth orës 7.00 në kalatat 4 dhe 5 të portit të Durrësit. Pjesa më e madhe u nisën me autobuzë të agjencive turistike për vizita të organizuara në qytetet historike dhe muzeale të Durrësit, Krujës dhe Beratit. “Ocean Majesty” ka në bord 313 turistë, pjesa më e madhe e të cilëve, 235 vetë, janë shtetas gjermanë, ndërsa të tjerët vijnë nga 10 vende të ndryshme. Ndërkaq “Serenissima” që mbërriti në Durrës nga porti i Vlorës, sot rreth orës 22.00 do të vijojë drejt Shëngjinit, duke prekur tre porte shqiptare në po kaq ditë. Numrin më të madh të turistëve në bordin e saj e zenë anglezët me 80 udhëtarë, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga Kanadaja, Ukraina, SHBA dhe Suedia. Që nga 4 tetori në Durrës kanë mbërritur 4 kroçera gjithsej, ndërsa “Ocean Majesty” pritet përsëri më 28 tetor.