19.05.2026
Porti i Durrësit vijon të mbajë peshën kryesore në aktivitetin tregtar detar të vendit, ndërsa të dhënat e katër muajve të parë të vitit 2026 konfirmojnë rritje të flukseve dhe intensitetit operacional.
Gjatë periudhës janar-prill janë përpunuar 1,219,195 tonë mallra, ose 5.75% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Performancën më të lartë e kanë shënuar eksportet, me 420,260 tonë mallra të përpunuara dhe një rritje prej 43.7%, e mbështetur kryesisht nga zgjerimi i transportit me konteinerë.
Në total, gjatë këtij katërmujori janë përpunuar 84,172 TEU, ose 38.2% më shumë se një vit më parë, ndërsa mallrat e konteinerizuara kanë arritur në mbi 815,079 tonë, me rritje 38%. Vetëm muaji prill ka shënuar një rritje prej 44% në këtë segment.
Pozitive paraqitet edhe ecuria në sektorin e trageteve, me mbi 156,597 pasagjerë dhe 66,828 mjete të transportuara.
Këta tregues dëshmojnë rëndësinë strategjike të Portit të Durrësit për ekonominë dhe zinxhirin e furnizimit, por njëkohësisht evidentojnë edhe intensitetin e lartë të shfrytëzimit të hapësirave ekzistuese operacionale, duke e bërë të nevojshëm zhvillimin e kapaciteteve të reja portuale.

