Mbi 654 mijë pasagjerë udhëtuan nga/drejt Portit të Durrësit në 9 muajt e parë të vitit 2025

20.10.2025

Porti i Durrësit vijon të mbetet porta kryesore e lëvizjes detare të udhëtarëve në vend. Sipas të dhënave analitike të Autoritetit Portual Durrës, gjatë periudhës janar–shtator 2025 kanë udhëtuar nga/drejt portit mbi 654,420 pasagjerë, duke shënuar një rritje me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit parardhës.

Në këtë periudhë janë regjistruar 306,600 pasagjerë në hyrje dhe 347,820 në dalje, çka përbën 9,828 pasagjerë më shumë krahasuar me vitin 2024. Këto shifra reflektojnë jo vetëm intensifikimin e udhëtimeve, por edhe numrin e lartë të turistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë gjatë muajve të parë të sezonit veror.

Për sa i përket muajit shtator, të dhënat tregojnë një total prej 64,658 pasagjerësh, nga të cilët 20,865 në hyrje dhe 43,793 në dalje drejt porteve italiane të Barit dhe Ankonës. Këto shifra përkojnë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke dëshmuar vijimësinë e flukseve të larta të udhëtimeve detare në Portin e Durrësit.