Fundjavën e kaluar disa Televizione dhe portale transmetuan kronika mbi rezultatet e përpunimit të mallrave në portin e Durrësit gjatë vitit të kaluar. Kronikat u transmetuan në RTSH, Ora News TV dhe Vizion + TV, si dhe në portalin Durrëslajm.
Më poshtë një nga lajmet mediatike:
Përpunimi i mallrave në portin e Durrësit përgjatë vitit 2016 ka qëndruar në të njëjtat nivele krahasuar me 2015, ndërsa është vërejtur një rënie e ndjeshme sa i përket eksportit. Porti i Durrësit ka arritur shifrën e 3.5 milion ton mallrave të përpunuara gjithsej gjatë vitit 2016. Edhe gjatë këtij viti importet zënë pjesën më të madhe në volumin total në raport 2 me 1.
Gjatë vitit të kaluar në kalatat e katër terminaleve janë përpunuar 516 anije me afro 2.7 milion ton mallra dhe 1036 tragete me mbi 770 mijë ton.
Gjatë vitit 2016 është shënuar një rritje tjetër e përpunimit të mallrave me anë të kontejnerëve. Transporti me kontejnerë prej vitesh shënon vetëm rritje dhe për vitin që sapo lamë pas janë përpunuar 200 anije të specializuara me kontejnerë. Kontejnerët përdoren edhe për transportin e mineraleve, ndërkohë që mallrat e konsumit prej vitesh transportohen me këtë mënyrë.
Gjatë vitit 2016 nuk kanë munguar edhe përmasat turistike të portit të Durrësit. Në kalatat 4 dhe 5 janë ankoruar 25 kroçera dhe veliera turistike, ndërsa numri i përgjithshëm i jahteve që kanë vizituar portin arrin në 218.