Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, takim me drejtuesit e Autoriteteve dhe Agjencive Portuale

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u takua sot paradite në mjediset e Autoritetit Portual Durrës me drejtues dhe përfaqësues të Autoriteteve dhe agjencive që operojnë në Portin më të madh të vendit.

Në axhendën e Takimit të organizuar nga MB dhe APD çështja kryesore për diskutim ishte “Siguria dhe lufta kundër trafiqeve”.

Në nisje të takimit, ministri Lleshaj u shpreh se, “prej këtu lëviz rreth 40% e volumit të mallrave. Po kaq përqind e të ardhurave që gjenerohen në nivelin e doganave shqiptare, kryhet përmes këtij porti dhe besoj që dalim në përfundimin, që në qoftë se këtu kalojnë rreth 40% e të mirave dhe një përqindje e problemit po ashtu kalojnë përmes këtij Porti”, tha Lleshaj.

“Me gjithë përmirësimet e bëra, të cilat mund të përcaktohen lehtësisht prej secilit prej nesh, i cili e ka frekuentuar këtë Port në cilësime të ndryshme, qoftë si udhëtar, qoftë si punonjës i shtetit konstatohet progres, por ama është po ashtu e rëndësishme të shënohet që nevoja për përmirësim është e madhe”, shtoi Ministri Brendshëm.

Sipas Z.Lleshaj takimi me Prefektin e Qarkut të Durrësit, si dhe me drejtuesit e lartë të Policisë së shtetit, APD, Doganave, AKU dhe Hetimit Tatimor synon të rrisë masat për luftën ndaj trafiqeve.

Takimin e ndoqën edhe përfaqësuesit e mediave lokale dhe qendrore.