Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku viziton Terminalin e Trageteve

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vizitoi pasditen e së premtes Terminalin e Trageteve në portin e Durrësit. Znj Balluku u njoh nga afër me përgatitjet për sezonin veror në portin më të madh të Shqipërisë, ku pritet të mbërrijnë qindra mijë udhëtarë, turistë dhe bashkëatdhëtarë që vijnë për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.

Duke folur për mediat e pranishme, ministrja Belinda Balluku vlerësoi punën e institucioneve që operojnë në hapësirën portuale dhe që bashkërendojnë punën e tyre veçanërisht në Terminalin e Trageteve. Ajo tha: “Jemi pak ditë para fillimit të sezonit dhe siguria e këtij porti, si Porti ndërkombëtar i Republikës së Shqipërisë, është shumë e rëndësishme. Porti i Durrësit është një port i çertifikuar i cili ka kaluar pa gjetje fazën e auditimit dhe është vendosur që të auditohet vetëm një herë në dy vite. Padyshim, siguria në pikat kyçe, nevralgjike, të kufirit shqiptar, siç është porti dhe aeroportet apo pikat e tjera kufitare, janë një nga arsyet kryesore pse qeveria po ndërmerr masa për të qenë gjithmonë dhe më afër përsa i përket kujdesit që ne kemi për qytetarët por dhe për mbrojtjen e sigurisë kombëtare”

Gjatë vizitës në Terminal ministrja Balluku u shoqërua nga drejtuesit e Autoritetit Portual, Drejtorisë së Përgjthshme Detare dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kufirit dhe Migracionit.

Znj Balluku gjithashtu ndoqi nga afër zhvillimin e Testit të Sigurisë në Terminalin e Pasagjerëve