Qyteti i Durrësit dhe zonat përreth tij gjatë natës së kaluar u përfshinë nga mjegulla e dendur, pasojë e proceseve të kondensimit dhe avullimit mbi det. Nga mesnata deri në orët e paradites, rajoni bregdetar u mbulua nga mjegulla e dendur, e cila pengoi edhe qarkullimin e automjeteve. Mjegulla disaorëshe është një fenomen i pranishëm në gjirin detar të Durrësit, por ajo edhe këtë herë ka penguar përkohësisht veprimtarinë normale në portin më të madh të vendit.
Trageti “Rigel I” është ankoruar në terminalin përkatës rreth orës 7.30, ndërsa ankorimi i tragetit “AF Francesca” përfundoi rreth orës 9.25. Ndërkaq në kalata po përpunohen normalisht 5 anije tregtare, me rreth 10.300 ton mallra gjithsej, si grurë, xhama, sojë, gurë mermeri dhe melaminë. Në radën portuale ndodhen dy anije, njëra me 5832 ton qymyr, që do të shkarkohet në kalatën 11 dhe anija “Martha” që do të ngarkohet me 250 ton çimento me paleta. Po sot pritet të mbërrijë në radë edhe një anije me 203 kontejnerë.
Shtresa e dendur mjegullës nisi të shpërndahet po sot rreth orës 10.00 duke ia lënë vendin motit të kthjellët dhe temperaturave të larta, të pazakonta për ditët e fundit të muajit dhjetor.