Moti i keq dhe deti i trazuar, vështirësi në përpunimin e anijeve 5 mars 2015

Moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë ka përfshirë sot në mëngjes rajonin detar të Durrësit dhe sipas parashikimeve situata meteorologjike do të jetë e njejtë edhe gjatë orëve në vazhdim.

Për shkak të motit të keq dhe detit të trazuar trageti Claudia Prima që mbërriti nga Bari (Itali) është ankoruar me vështirësi rreth orës 9.15. Rreth 40 minuta më vonë është ankoruar edhe trageti Bari.

Në basenin portual veprimtaria përpunuese është ndërprerë për disa orë radhazi për shkak të reshjeve të dendura shiut. Sipas Dispeçerisë portuale, tre nga anijet kanë sjellë mallra rinfuzo, si çimento, kripë dhe urë’, ndërsa një tjetër Frojdi II po shkarkon paleta me mallra ushqimore. Këto mallra nuk përpunohen dot në kushtet e reshjeve të shiut – saktësoi Dispeçeria.

Burimet nënvizuan se paradite të gjitha anijet e kanë ndërprerë procesin e përpunimit, ndërsa po monitorohen kushtet e motit për orët në vazhdim. Anija Frosina që nga dita e hënë ka nisur shkarkimin e 2500 ton çimento, ndërsa anijet M Turham Mildon dhe Charly do të shkarkojnë 2750 ton ure’ dhe 3700 ton kripë.

Po sot pritet të mbërrijë në port edhe anija MSC Jilhan me 360 kontejnerë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, reshjet e shiut që do të intensifikohen gjatë ditës “do të shoqërohen me erë të vrullshme që herë pas herë do të fitojë intensitet deri në 25m/sek kryesisht në zonat bregdetare dhe ku do të shoqrohet me valëzim të forcës 7 dhe 8 në det të hapur me lartësi vale deri në 7m”.