Moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë po krijon vështirësi për përpunimin e anijeve në portin e Durrësit. Paraditen e së hënës ka nisur të përpunohet normalisht vetëm anija me 400 kontejnerë “MSC Jilhan”, e cila është ankoruar të djelën në kalatën 6. Anijet “Mustafa Bey” dhe “Geros” me 5189 ton xhama gjithsej janë ankoruar në kalatat 1 dhe 2, dhe sipas dispeçerisë përpunimi I tyre do të vijojë në varësi të kushteve të motit. Ndërkaq anija “Sider Luck”, që do të ngarkohet në kalatën 11 me një sasi prej 20.500 ton klinker gjithsej e ka ndërprerë procesin e përpunimit të saj.
Nga të dhënat e dispeçerisë portuale mësohet se gjatë fundjavës ka përfunduar në kalatën 5 ngarkimi I anijes “Mansour M” me 5 mijë ton çimento me paleta. Po në fundjavë nga anija “Frojdi II” janë shkarkuar 1380 ton grurë dhe sojë, ndërsa në kalatën 10 nga anija “Solka 2” janë shkarkuar 3300 ton skrap.
Në radën portuale presin radhën e përpunimit dy anije me 144 kontejnerë gjithsej, si dhe një anije tjetër me 1694 ton sojë me paleta dhe rifuxho.
Sipas dispeçerisë, në portin e Durrësit pritet të mbërrijnë gjatë 24 orëve të ardhshme një anije me 5.300 ton grurë dhe një tjetër me 4.421 ton çimento me paleta.