Moti i keq: vazhdon ankorimi i trageteve, masa sigurie për mjetet dhe anijet 28 dhjetor 2014

Deti I trazuar dhe era e fortë që fryn kryesisht nga jugu ka shkaktuar vonesa në ankorimin e trageteve në portin e Durrësit, ndërsa janë marrë masa për sigurinë e motopeshkatoreve, elektrovinçave dhe anijeve që presin të përpunohen.

Nga të dhënat e dispeçerisë mësohet se një nga tre tragetet që kanë lundruar gjatë natës nga Bari është ankoruar që prej dy orësh, ndërsa dy të tjerët kanë mbërritur tashmë në radën portuale. Era e fortë me drejtim nga jugperëndimi dhe me shpejtësi deri në 70 km në orë si dhe deti I trazuar kanë vështirësuar ankorimin e mjeteve lundruese për udhëtarët, dhe ky proces ka nisur sipas radhës për tragetet “Aurelia”dhe “Bari”. Rreth orës 16.00 pritet edhe një traget tjetër me udhëtarë nga Ankona.

Nga të njejtat burime mësohet se pasdite parashikohet një përmirsim i kushteve detare dhe të motit, çka do të mundësojë edhe rifillimin e procesit të përpunimit të anijeve tregtare me mallra. Në kalatat e portit më të madh të vendit aktualisht ndodhen të ankoruara 5 anije tregtare, ndërsa në radën portuale presin radhën edhe tre anije të tjera me mallra.

Forca e Sigurisë Portuale ka marrë masa për sigurinë e elektrovinçave, mjeteve, anijeve dhe motopeshkatoreve që janë ankoruar në kalatat e portit të Durrësit.