Pas 24 orëve me mot të keq dhe det të trazuar, në rajonin e Durrësit sot paradite vijojnë vetëm reshjet, çka pengon pjesërisht përpunimin e anijeve në portin më të madh të vendit.
Nga Qendra e Informacionit mësohet se dy tragetet e linjës Bari – Durrës kanë mbërritur në port sipas grafikut të parashikuar. Ndërkaq paradite pritet të ankorohet në Terminal edhe trageti “AF Michela” i linjës Ankona-Durrës.
Anija “NS Anxhela” që po shkarkon çimento rinfuzo vijon ti mbajë hambarët e mbyllur për shkak të reshjeve të shiut.
Në Terminalin e kontejnerëve po përpunohet pa probleme anija “Contship Vow”, ndërsa gjatë ditës pritet të mbërrijnë edhe 5 anije të tjera, dy nga të cilat me kontejnerë dhe tre të tjera me rreth 10 mijë ton mallra të ndryshme.