Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me Autoritetin Portual Durrës organizuan sot në mesditë Konferencën mbi arritjet e vitit 2014 dhe sfidat e vitit 2015 në sektorin e transportit detar. Konferenca që u drejtua nga Drejtori ekzekutiv i APD, Selim Belortaja u zhvillua në sallën e Konferencave të portit të Durrësit.
Në Konferencë morri pjesë Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto. Po ashtu morrën pjesë edhe drejtues dhe punonjës të porteve të ndryshëm të vendit. Në Konferencë referuan Drejtori ekzekutiv i APD, Selim Belortaja; drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Gazmir Tahiri; drejtori i portit të Vlorës sh.a. Xhevahir Çeloaliaj; drejtori i portit të Sarandës, Sotir Davella dhe ai i portit të Shëngjinit sh.a., Gjovalin Tusha.
Në fjalën e tij ministri Haxhinasto vlerësoi trendin pozitiv të volumit të mallrave në porte që për vitin 2014 është rritur me 2 përqind si dhe ai i udhëtarëve me 8.5 përqind.
Z. Haxhinasto nënvizoi rëndësinë e planifikimit dhe koordinimit më të mirë mes porteve për rritjen e shfrytëzimit të kapaciteteve të tyre. “Në këtë pikë kërkohen përpjekje të përqëndruara si nga politikbërja, ashtu edhe nga portet dhe biznesi. Vendi ynë është porta hyrëse e Koridorit të Tetë dhe lidhjet hekurudhore e ato rrugore mbeten një sfidë e rëndësishme për të ardhmen-tha ministri. Më pas ai i konsideroi tarifat një çështje madhore, duke kërkuar unifikimin ose koordinimin e tyre mes porteve. Ministri Haxhinasto u ndal në sigurinë portuale, si një elemet që ka nevojë për përmirsime të ndjeshme, veçanërisht në përballjen me trafiqet e paligjshme dhe terrorizmit. Pasi foli për investimet në portet e Shëngjinit, Vlorës dhe Sarandës ministri Haxhinasto vlerësoi se thellimi i portit të Durrësit përbën një projekt jetik. Shërbime më të mira ndaj komunitetit kosovar të biznesit kërkoi për të ardhmen ministri i Transportit dhe Infrastrukturës. Në fund ai u ndal veçanërisht në kualifikimin dhe trajnimin e stafit të porteve.