Ndërrim stafete në Autoritetin Portual Durrës

     
28.10.2025

Në ambientet e Autoritetit Portual Durrës u zhvillua sot ceremonia e prezantimit të Drejtorit të ri Ekzekutiv të APD-së, z. Liburn Aliu, i cili merr detyrën pas z. Kreshnik Bajraktari, që e drejtoi institucionin për një periudhë prej 1 viti e 3 muajsh. 

Prezantimi u bë nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku, e cila falënderoi z. Bajraktari për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë drejtimit të Autoritetit Portual Durrës, si dhe vlerësoi kontributin e tij në vijimësinë e reformave dhe projekteve strategjike që lidhen me zhvillimin e Kompleksit portual Durrës-Porto Romano.

Në fjalën e saj, Ministrja Balluku theksoi rëndësinë e vazhdimësisë institucionale dhe profesionalizmit në menaxhimin e infrastrukturave detare, duke i uruar suksese Drejtorit të ri në detyrë, z. Liburn Aliu, në përmbushjen e objektivave të reja të Autoritetit Portual Durrës. 

Z. Aliu shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe theksoi angazhimin e tij për të vijuar përpjekjet drejt modernizimit të shërbimeve portuale, rritjes së efikasitetit operativ dhe përmirësimit të marrëdhënieve me komunitetin portual e partnerët ndërkombëtarë. 

“Jam shumë i nderuar që jam sot këtu dhe jam i nderuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, për një detyrë që më është dhënë dhe që më është besuar, që është mjaft sfiduese. Porti i Durrësit nuk është vetëm Port i Republikës së Shqipërisë, është port i të gjithë shqiptarëve, është port i rajonit”,  u shpreh z. Aliu gjatë prezantimit të tij në këtë detyrë.  

Autoriteti Portual Durrës falënderon z. Kreshnik Bajraktari për drejtimin e përgjegjshëm dhe kontributin e dhënë gjatë mandatit të tij dhe i uron suksese në angazhimet e ardhshme prfoesionale. 

Profil i shkurtër i z. Liburn Aliu

Z. Liburn Aliu është një ekspert me mbi dy dekada përvojë në administrimin e tokës, planifikimin hapësinor, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe menaxhimin strategjik të projekteve infrastrukturore. 

Para se të merrte drejtimin e Autoritetit Portual Durrës, ai ka mbajtur detyrën e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Republikës së Kosovës (2021–2025), ku ka udhëhequr reforma të rëndësishme në digjitalizimin e sistemit kadastral, zhvillimin e infrastrukturës së të dhënave hapësinore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore. 

Gjatë karrierës së tij, z. Aliu ka drejtuar edhe Drejtorinë e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Prishtinës (2013–2017), ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, si dhe pedagog dhe ligjërues në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë. Ai ka përfaqësuar Kosovën në forume ndërkombëtare si COP27, COP28 dhe COP29, si dhe në organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore. 

Z. Aliu është arkitekt i diplomuar dhe mban gradën “Master” në Arkitekturë nga Universiteti i Prishtinës. Ai zotëron aftësi të larta profesionale në menaxhimin e projekteve, legjislacionin ndërtimor, dhe integrimin e standardeve të BE-së në qeverisjen mjedisore dhe infrastrukturore