Ndihmës Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare të SHBA, Alan Bersi viziton portin e Durrësit

Ndihmës Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare dhe Krye Zyrtari Diplomatik i Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, Alan Bersi, kreu sot në mesditë një vizitë pune në portin e Durrësit. Zyrtari i lartë amerikan u prit nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj dhe drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Portual, Aleksandër Lipivani.

Z. Bersi dhe grupi që e shoqëron zhvilluan vizita dhe takime në Terminalet e përpunimit të mallrave dhe udhëtarëve, tre nga të cilët menaxhohen nga kompani të huaja konçesionare. Ata u ndalën më pas në pikën e kalimit kufitar në Terminalin e Udhëtarëve.

Zyrtarët e Departamentit amerikan të Sigurisë zhvilluan gjithashtu vizita në mjediset e Doganës si dhe në të dy pikat e kontrollit doganor me skaner.

Ndihmës Sekretari për Çështjet ndërkombëtare po zhvillon këto ditë një vizitë pune në vendin tonë në kuadrin e përmirsimit të masave në luftën kundër terriorizmit dhe trafiqeve. Kohët e fundit APD në bashkëpunim me Rojen Bregdetare të SHBA ka marrë një sërë masash për rritjen e nivelit të sigurisë në mjediset e portit më të madh të vendit.

Pasdite Autoriteti portual dhe Drejtoria Rajonale e kulturës Kombëtare organizuan edhe vizitat në Muzeun Arkeologjik të qytetit antik si dhe në Amfiteatrin e Durrësit. Z. Alan Bersi, i shoqëruar nga ministri Sokol Dervishaj dhe zv ministri Bahri Shaqiri shfaqi një interesim të veçantë për historinë e qytetit dhe monumentet antike të tij.