Në portin e Durrësit gjatë 36 orëve të ardhshme do të ankorohen dy kroçera me turistë të huaj.
Ditën e martë në kalatën 5 parashikohet ankorimi i kroçerës “Princendam” me 669 udhëtarë. Sipas të dhënave të agjencisë “Drianbra” kroçera me flamur hollandez ka një gjatësi 204 metra dhe është ankoruar disa herë në portin më të madh të vendit tonë. Gjatë këtyre dy javëve, kroçera ka lundruar në disa porte të Mesdheut. Sot ajo do të lundrojë nga Napoli (Itali) dhe pas një qëndrimi 10-orësh në Durrës do të niset drejt portit të Korculas (Kroaci).
Ditën e mërkurë në orët e para të mëgjesit në kalatën 5 do të ankorohet kroçera “Ocean Majesty”. Nga drejtuesit e agjencisë “KAD” mësohet se anija turistike me flamur portugez do të sjellë në Durrës 272 udhëtarë nga vende të ndryshme. Kroçera do të lundrojë nga Korfuzi drejt Durrësit dhe po të mërkurën në mbrëmje do të vazhdojë udhëtimin turistik. Pjesa më e madhe e turistëve janë shtetas gjerman (234 vetë) dhe austriakë (28 vetë), por nuk mungojnë edhe turistë nga Danimarka, Hungaria, Italia, Hollanda, Ukraina dhe Britania e Madhe.
Autoriteti Portual i Durrësit ka marrë masat për ankorimin e kroçerave dhe mikpritjen e turistëve. Menjëherë pas mbërritjes, turistët e organizuar në autobuzë do të nisen drejt qyteteve historike të Beratit dhe Tiranës, ndërsa një pjesë do të vizitojnë qendrat muzeale të qytetit të lashtë të Durrësit.