Në prag të mbledhjes së dy qeverive shqiptare, ku pritet të nënshkruhen marrëveshje të reja dhe të avancohet me zbatimin e kuadrit ligjor të dakordësuar në mbledhjet e kaluara, në ambientet e APD është zhvilluar një takim pëgatitor lidhur me procedurat e lehtësuara doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.
Takimi u mbajt nën drejtimin e dy drejtuesve të Doganave të Shqipërisë dhe Kosovës, z. Bardhi dhe z. Xhaka, si dhe me pjesemarrjen e zv.Ministres se Financave të Shqipërise znj. Belinda Ikonomi, Këshilltares së Kryeministrit të Shqipërisë, znj. Odeta Barbullushi, përfaqësues të Doganave të dy vendeve tona dhe të Autoritetit Portual Durrës.
Gjatë takimit u diskutuan detaje teknike që pritet të jenë pjesë e mbledhjes së dy qeverive, me qëllim lehtësimin e qarkullimt të mallrave, kthimin e Portit të Durrësit në një qendër logjistike për bizneset e Kosovës dhe rritjen e volumeve tregtare mes dy vendeve.
Ekipet teknike biseduan rreth manualit të ri për lehtësimin e procedurave doganore për mallrat që përpunohen në Durrës nga dhe drejt Kosovës, duke synuar jetësimin e një kërkesë të vazhdueshme të bizneseve në dy anët e bjeshkëve. Përfaqësuesit e Autoritetit Portual shprehën gatishmërinë e plotë për të lehtësuar këtë proces dhe për të plotësuar nevojat operacionale që do të kenë doganat e dy vendeve në Portin e Durrësit.