Nesër në Durrës mbërrin kroçera “Thomson Celebration” me 1.257 turistë

Të mërkurën paradite në portin e Durrësit mbërrin për herë të katërt gjatë këtij viti kroçera “Thomson Celebration” me 1257 turistë të huaj në bord. Njëlloj si edhe në turet e mëparshme, pjesa më e madhe e tyre, 1247 vetë, vijnë nga Britania e Madhe, ndërsa nuk mungojnë turistët nga Irlanda (5), Zelanda e Re, Kanadaja, Australia, Gjermania dhe Afrika e Jugut.

Nga agjencia e lundrimit “Intermed Shiping” mësohet se gjatë turit 8-ditor kroçera ka udhëtuar drejt porteve në Dubrovnik, Koper, Venecia, Rijeka, Korfuz, ndërsa pas Durrësit në etapën e fundit, do të lundrojë përsëri për në portin e nisjes, Dubrovnik.

Pas zbritjes në portin e Durrësit, një pjesë do të udhëtojnë të organizuar me autobuza drejt qyteteve historike të Krujës e Beratit, si dhe drejt Tiranës. Shumë prej turistëve të tjerë do të vizitojnë qendrat arkeologjike dhe muzeale të qytetit bregdetar.

Kroçera “Thomson Celebration” me gjatësi 215 metra dhe tonazh të përgjithshëm 34 mijë ton ka flamur maltez. Në bordin e saj punon një personel prej 532 vetësh.

Kjo është anija turistike e 11-të e këtij sezoni. Deri në muajin nëntor në portin e Durrësit pritet të mbërrijnë edhe 15 kroçera të tjera me turistë nga i gjithë globi.