Nga 1 janari ngarkohen 10 anije me afro 54 mijë ton çimento për eksport

Që nga 1 janari i këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar afro 54 mijë ton çimento për eksport. Gjatë vitit të kaluar në portin e Durrësit janë ngarkuar gjithsej 89 mijë ton çimento për eksport.

Sipas Qendrës së Informacionit në APD, në Terminalin lindor në më shumë se dy muaj 10 anije tregtare janë ngarkuar me çimento rinfuzo, prodhim “Made in Albania”. Çimento është prodhuar në fabrikat e specializuara pranë Fushë Krujës dhe anijet e ngarkuara i janë drejtuar kryesisht porteve të Afrikës veriore.

Katër anije kanë kryer 10 lundrime vajtje-ardhje gjithsej, duke u ngarkuar me sasi nga 2.650 ton deri në 12.500 ton secila. Anija “Sirios cement” është ngarkuar dy herë me nga 12.500 ton, dhe një herë tjetër me 7.500 ton. Ndërsa anija “Edro IV”, në katër lundrimet e saj drejt Durrësit ka marrë sasinë standarte prej 2650 ton.

Në portin e Durrësit janë ngarkuar me çimento edhe anijet “Seaven Luck” dhe “Vela I”.