Nga Kosova në Terminalin lindor, ngarkohen në anije 20 mijë ton mineral zinku

Në Terminalin lindor ka nisur të përpunohet anija “Da Ji”, e cila po ngarkohet me 20 mijë ton mineral zinku. Përpunimi i saj ka nisur pasditen e së hënës dhe do të vazhdojë disa ditë.

Sipas të dhënave të Qendrës së Informacionit në APD, anija tregtare “Da Ji”, me port regjistrimi në Guang Zhou që ka një gjatësi prej afro 180 metra është nisur nga porti Djen Djen (Algjeri) drejt Durrësit, dhe u ankorua në port rreth orës 14.00. Anija do të ngarkohet me 20 mijë ton mineral zinku prodhuar në minierën e Trepçës (Kosovë).

Kjo është anija e dytë me zink nga Kosova që ngarkohet në portin e Durrësit. Anija “Da Tong Yun” u përpunua në mesin e muajit maj të këtij viti dhe ngarkesa u nis drejt portit të Tarantos (Itali).

Nga të dhënat operative të Qendrës së Informacionit në APD, mësohet se anija me gjatësi 166.5 metra “Da Tong Yun”, që kishte mbërritur nga porti i Ravenas (Itali) u ngarkua me mbi 18.500 ton zink, produkt i minierës së Trepçës në Kosovë.