Mesnatën e kaluar në Terminalin lindor ka përfunduar përpunimi i anijes “Da Tong Yun” dhe thuajse menjëherë vendin e saj në kalatën 10 e ka zënë anija “Baltic Wasp” , e cila ka nisur të përpunohet në orët e para të ditës së mërkurë. Nga të dhënat operative të Qendrës së Informacionit në APD, mësohet se anija me gjatësi 166.5 metra “Da Tong Yun”, që kishte mbërritur nga porti i Ravenas (Itali) është ngarkuar me mbi 18.500 ton zink, produkt i minierës së Trepçës në Kosovë. Kjo është anija e parë me zink nga Kosova që ngarkohet në portin e Durrësit. Anija u përpunua për afro 35 orë dhe tashmë ka nisur lundrimin drejt portit të Tarantos (Itali).
Ndërkaq në të njejtën kalatë ka filluar të shkarkohet anija “Baltic Wasp” me 20 mijë ton qymyr, porosi e kompanisë “Antea Cement”. Anija me gjatësi 199.9 metra ka mbërritur në Durrës nga porti i Marsejës (Francë).