Ditën e hënë në kalatat e portit të Durrësit u përpunuan tre tragete me udhëtarë dhe automjete, si dhe dy anije me mallra.
Burime nga Dispeçeria portuale, bëjnë me dije, se tragetet “Rigel 1”, “Rhapsody” dhe “AF Francesca” sollën në Durrës 1921 udhëtarë gjithsej, mes të cilëve edhe 104 fëmijë.
Tragetet që lundruan nga Bari (Itali) në Durrës transportuan edhe 481 autovetura, me të cilat pjesa më e madhe e udhëtarëve kanë vijuar lëvizjen e tyre drejt destinacioneve të ndryshme në vendin tonë, Kosovë apo Maqedoni.
Në kalatat 1 dhe 10 të portit më të madh të vendit po përpunohen edhe anijet “Sirios Cement III”, që ngarkon 4150 ton çimento dhe anija “Frojdi 2”, nga e cila shkarkohen 1322 ton bërsi dhe misër. Ndërkaq nesër pritet anija “Alessia” që do të shkarkojë 11 mijë ton qymyr, si dhe anijet “Loodiep” me 4575 ton melaminë dhe “Mehmet Dadayli 1” me 137 kontejnerë.