Nis puna për rehabilitimin e rrugës “Hyrja 2 – Terminali i Trageteve”

Këto ditë ka nisur puna për rehabilitimin e segmentit rrugor “Hyrja Nr.2 – Terminali i Trageteve”, për të cilën APD ka akorduar një financim prej 11,231,016 lek (pa t.v.sh.).

Në Drejtorinë e Zhvillimit mësohet se sipas kontratës punimet do të përfundojnë brenda 90 ditësh, pra në fillim të muajit qershor të këtij viti. Zbatues i punimeve është firma “Pienvis”, fituese e tenderit përkatës.

Rruga që po i nënshtrohet rehabilitimit ka një gjatësi 800 metra dhe gjërësi 9 metra. Ajo ndodhet mes shesheve të Terminalit të Kontejnerëve dhe kangjellave rrethuese të territorit portual. Sipas kontratës për realizimin e rehabilitimit, janë parashikuar prishje të shtresave dhe strukturave të betonit në një sipërfaqe prej 7200 metra katrore. Pas këtij procesi rruga do të shtrohet me beton, si dhe asfalto-beton me trashësi 5 cm.

Punimet në rrugë nuk do të bllokojnë kalimin e mjeteve në këtë segment të rëndësishëm rrugor portual. Ato do të kryhen paralelisht me qarkullimin e automjeteve të të gjitha llojeve, që do të kontrollohet dhe drejtohet nga Forcat e Sigurisë Portuale FSPD.