18.12.2025
Në prag të festave të fundvitit, Porti i Durrësit ka intensifikuar operacionet detare, duke dyfishuar lundrimet e trageteve (vajtje–ardhje brenda ditës) në linjat që lidhin Portin e Durrësit me portet fqinje të Italisë.
Duke nisur nga 18 dhjetori, ky regjim i shtuar lundrimesh synon përballimin e fluksit sezonal të pasagjerëve dhe mjeteve, si dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimit detar, në përputhje me standardet e sigurisë dhe eficiencës operative.
Në Terminalin e Trageteve, të gjitha strukturat portuale dhe instancat operuese janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e intensitetit të shtuar të lëvizjeve. Paralelisht, po zbatohen masa shtesë të sigurisë dhe koordinimit operacional për garantimin e një procesi të rregullt dhe të sigurt.
Operacionet po zhvillohen normalisht, me fokus në respektimin e orareve të lundrimit, përpunimin në kohë të mjeteve dhe pasagjerëve, si dhe shmangien e vonesave gjatë kësaj periudhe festive.
Porti i Durrësit vijon të sigurojë funksionim të pandërprerë të linjave detare dhe shërbim të qëndrueshëm për operatorët dhe përdoruesit e portit.

